Secondary Adv

Shtrenjtohen sërish karburantet, nafta arrin 219 lekë dhe benzina mbi 200 lekë për litër

Çmimet e karburanteve janë rritur sërish në pikat e shitjes me pakicë në Tiranë.

Nafta ka arritur në 219 lekë për litër, ndërsa benzina është ngjitur në 205 lekë për litër, teksa tensionet në tregjet ndërkombëtare po shtojnë presionin mbi çmimet.


Prej pasdites së djeshme, çmimi i naftës është rritur në 219 lekë për litër, nga 215 lekë që ishte më parë, duke shënuar një shtrenjtim prej 4 lekësh për litër.


Rritje më të fortë ka pësuar benzina. Çmimi i saj ka kaluar nga 198 lekë në 205 lekë për litër, ose 7 lekë më shumë.


Shtrenjtimi në tregun vendas po reflekton luhatjet e forta të çmimeve në bursat ndërkombëtare. Çmimi Platts i naftës, që shërben si bazë për përllogaritjen e zhdoganimit dhe ndikon në çmimet vendase, ka arritur në 1,450 dollarë për ton, nga rreth 1,300 dollarë për ton që ishte pesë ditë më parë.


Importuesit vendas parashikojnë se, nëse përshkallëzimi i luftës vijon, çmimet e naftës me shumicë mund të rriten më tej. Sipas tyre, në këtë situatë një nga masat që mund të ndikonte në frenimin e çmimeve do të ishte ulja e taksave mbi naftën.


Ngushtica e Hormuzit në qendër të shqetësimeve

Çmimet ndërkombëtare të naftës u rritën këtë të enjte në nivelet më të larta të tre javëve, të nxitura nga shqetësimet dhe pasiguritë lidhur me luftën në Iran dhe ndikimin e saj mbi furnizimet nga Lindja e Mesme, një prej rajoneve kryesore prodhuese të naftës në botë.


Për analistët e tregjeve ndërkombëtare, shqetësimi kryesor mbetet Ngushtica e Hormuzit. Nëse kalimi mbetet i bllokuar ose konflikti përshkallëzohet, çmimi Platts mund të arrijë deri në 2 mijë dollarë për ton.


Ngushtica e Hormuzit ka një rëndësi strategjike për tregun botëror të energjisë. Përmes saj kalonte rreth një e pesta e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm (LNG) përpara nisjes së luftës SHBA-Izrael kundër Iranit në fund të shkurtit.


Edhe rritja e çmimit të naftës Brent mbi 91 dollarë për fuçi tregon se tregjet po përfshijnë në çmime një prim më të lartë rreziku për shkak të pasigurive mbi furnizimin.


Presione mbi ofertën po vijnë edhe nga Rusia. Dërgesat e naftës nga portet perëndimore ruse ranë në rreth 2.3 milionë fuçi në ditë gjatë gjysmës së parë të gushtit, rreth 15 për qind më pak se plani fillestar i ngarkimeve, për shkak të ndërprerjeve në portin e Novorossiysk në Detin e Zi.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat